Interi bëhet gati për pjesën e dytë të sezonit me sigurinë se Uesli Shnajder nuk do të jetë pjesë e tij. Këtë fakt e ka konfirmuar edhe trajneri i zikaltërve, Andrea Stramaçioni, ndonëse holandezi vazhdon të jetë ende një kontingjent i kësaj skuadre, pasi nuk ka gjetur një sistemim të ri.
“Kur erdha këtu, e vendosa në qendër të projektit, ndërsa tani nuk është mes më të mirëve për të zbritur në fushën e lojës. Shpresoj që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejt”, ishte deklarata e Stramaçionit, i cili duket se është shqetësuar jo nga fakti që po humb një lojtar cilësor, por që polemikat rreth Shnajder po shpërqendrojnë skuadrën e tij.
Për situatën e mesfushorit holandez ka folur përsëri menaxheri i tij, Soren Lerbi, i cili ka konfirmuar se shumë shpejt do të ketë të reja të rëndësishme për futbollistin i cili në ditët e fundit është përmendur si përforcim i mundshëm te shumë skuadra të ndryshme angleze.
“Kampionati anglez është i shkëlqyer dhe na intereson, por jo klube si QPR. Uesli dëshiron të luajë në një skuadër të madhe. Brenda 10 ditëve të ardhshme do të kemi të reja, ndonëse situata është shumë e çuditshme aktualisht”, pranoi menaxheri i futbollistit holandez që vazhdon të stërvitet te Interi, por që praktikisht nuk është më pjesë e kësaj skuadre pasi nuk grumbullohet për ndeshje. (LajmeShqip.com)
Saturday, 05 January 2013 09:37