Një tifoz i çmendur pas Zlatan Ibrahimoviç ka arritur të sigurojë të drejtën e përdorimit të faqes së internetit zlatan.fr dhe trashmë ka sfiduar lojtarin në një numër sfidash humoristike, nëse ky i fundit dëshiron të bëhet pronar i kësaj URL-je.
“Kur ti firmose për klubin tim të dashur, unë u çudita me faktin se zlatan.fr ishte ende e lirë… a të besohet një gjë e tillë?! Ndaj unë vrapova për ta prenotuar, pasi nuk desha që ndonjë zemërlig të përfitonte nga emri dhe imazhi yt”, shkruan pronari i kësaj URL-je. “Tani të jap mundësinë ta rimarrësh përsëri dhe për ta zgjidhur këtë çështje nuk është nevoja të merremi me avokatë apo procedura të pafundme. Kuptohet që do të ishte një humbje kohe dhe parash për të dy ne. Meqë jam një djalë i mirë, po të jap të drejtën të zgjedhësh armët e një dueli”, shkruan ai në faqen zlatan.fr, duke listuar të gjitha sfidat e mundshme.
Mes tyre figuron edhe shpërblim një fanellë e PSZH e Ibrahimoviç, e kompletuar me autograf, lojtari të jetojë me të për një muaj, tre abonime sezonale për të ndjekur ndeshjet e parisienëve sa të jetë gjallë, ta mundë në FIFA 2013 dhe disa variante pak më “burrërore”.
Një prej tyre është një sfidë në taekuondo, pasi tifozi i tij është një praktikues i arteve marciale, ose nëse Ibrahimoviç preferon zgjidhjen e shpejtë, mund ta lejojë ta godasë me shpullë në fytyrë në publik.
Sfida më e lehtë nga të gjitha është që Ibra të blejë biletat për ndeshjen e radhës dhe ta ftojë në stadium publikisht… por duhet të flasë në frëngjishte të kulluar, ndaj për Ibrahimoviç, ideja e një dueli në taekuondo mund të duket si një opsion më i lehtë. (LajmeShqip.com)
Friday, 04 January 2013 16:28