Juventusi ka marrë seriozisht idenë e afrimit të Fernando Lorente. Klubi bardhezi, pasi ka mësuar se futbollisti ka vendosur të mos rinovojë kontratën me Atletik Bilbao dhe në fund të sezonit do të largohet me parametër zero, ka vendosur menjëherë të fillojë bisedimet me përfaqësuesit e lojtarit të kombëtares spanjolle.
“Gjatë ditës së sotme, Juventus na ka lajmëruar se ka filluar të bisedojë me Fernando për ta bërë pjesë së skuadrës së vet”, ishte lajmërimi i shfaqur në faqen e internetit të klubit bask.
Sipas rregulloreve të FIFA-s, nëse kontrata e lojtarit përfundon brenda këtij sezoni, atëherë në 6 muajt e fundit ai mund të komunikojë lirisht me çdo klub tjetër. Por Juventusi ka vendosur që të lajmërojë gjithsesi Atletik Bilbaon, për të evituar probleme të mundshme në të ardhmen, pasi klubi bask vazhdon të mbajë një “qëndrim armiqësor” ndaj lojtarit që refuzoi të rinovonte kontratën me të.
Megjithatë, klubi spanjoll vazhdon të insistojë se nuk do të lërë të largohet lojtarin që në janar, duke e nënkuptuar këtë fakt edhe në njoftimin e publikuar në faqen e klubit rreth interesimit të kampionëve të Italisë.
“Juventusi i ka komunikuar Atletik Bilbaos se do të fillojë të bisedojë me lojtarin, pasi ka mësuar se kontrata e tij përfundon me 30 qershor të këtij vitit”, shkruhet në lajmërim, duke bërë të qartë se futbollisti do të mbyllte sezonin në radhët e ekipit ku u bë i famshëm. (LajmeShqip.com)
Friday, 04 January 2013 09:41