Ndeshja mes Pro Patria dhe Milan, ndonëse një miqësore, mund të hyjë në histori për faktin se një lojtar me ngjyrë ka vendosur në mënyrë publike, me mbështetjen e të gjithë skuadrës, të braktisë fushën e lojës pas thirrjeve raciste ndaj tij.
Tifozeria e skuadrës të Divizionit të Dytë ka lëshuar shpesh kore raciste në adresë të Boateng, Muntari e Niang, duke bërë që vazhdimisht lojtarët e Milanit të kërkonin nga gjyqtari të ndërhynte. Duke parë se situata nuk ndryshoi, Boateng hoqi fanellën dhe braktisi fushën e lojës, i ndjekur nga të gjithë shokët e skuadrës që ishin dakord me vendimin e tij. Edhe pse lojtarët e Pro Patrias u kërkuan tifozëve të rritnin të qetë gjatë vazhdimit të ndeshjes, Milani refuzoi të kthehej në fushën e lojës në shenjë proteste ndaj sjelljeve raciste dhe takimi u anulua.
“Është një turp që gjëra të tilla ndodhin ende”, ishin fjalët e Boateng nëpërmjet adresës së tij në Twitter, qëndrim i përshëndetur nga dhjetëra futbollistë të njohur në të gjithë kontinentin si Rio Ferdinand, Musa Sou, Marko Materaci, Patrik Vieira apo edhe klube të ndryshme futbolli që kanë mbështetur publikisht iniciativën e lojtarit të Milanit. “Jemi gati ta ribëjmë një gjë të tillë edhe në kampion, apo edhe nëse jemi duke luajtur kundër Realit e Barcelonës”, ishin fjalët e M’Baje Niang, sulmuesit të ri me ngjyrë të Milanit, i cili ishte mes atyre që u sulmuan me thirrje raciste nga tifozët e Pro Patrias. (LajmeShqip.com)
Friday, 04 January 2013 09:39