Diego Simeone ka vlerësuar sulmuesin Radamel Falkao, duke e cilësuar thelbësor për Atletiko Madrid falë edhe aftësisë së jashtëzakonshme për të shënuar me vazhdimësi për këtë skuadër.
Ekipi që aktualisht mban vendin e dytë në renditjen e kampionatit spanjoll ka rifilluar stërvitjen dhe trajneri ka shfrytëzuar konferencën e fundit për shtyp të vitit para mediave për të lavdëruar publikisht 26 vjeçarin.
“Falkao është jetësor për Atletikon dhe është përmirësuar shumë. Ai nuk lodhet kurrë duke shënuar gola, është e pabesueshme. Nuk kam parë kurrë më parë një dëshirë të tillë, pasi ai ka uri dhe nevojë që të vazhdojë të përmirësohet dhe të bëhet një sulmues më i mirë. Ai e di që kjo është forca e tij më e madhe, dëshira për t’ia dalë mbanë”, tha Simeone.
Atletiko Madrid gjendet në vendin e dytë në renditjen e kampionatit spanjoll, 9 pikë pas Barcelonës, por 7 pikë para rivalëve të Real Madrid, edhe pse humbën derbin pak javë më parë. Por Simeone është i ndërgjegjshëm që nuk ka në dispozicion një skuadër për të luftuar për titullin kampion.
“Nëse Murinjo thotë që titulli është thuajse i pamundur, çfarë duhet të shtoj më tepër unë”, tha ai, duke pranuar superioritetin e dukshëm të Barcelonës ndaj të gjithë kundërshtarëve në këtë sezon në Spanjë. (LajmeShqip.com)
Monday, 31 December 2013 11:20