Pato përfundimisht mund të quhet një lojtar i Korinthians. Ndonëse zyrtarizmi nuk ka mbërritur ende, fjalët e menaxherit të lojtarit, Gilmar Veloz, konfirmojnë atë që flitej prej ditësh, mbërritjen e një marrëveshje mes palëve për transferimin e sulmuesit të Milanit drejt skuadrës që fitoi Botërorin e Klubeve dy javë më parë.
“Që në fillim, kur vendosëm për kthimin në Brazil, unë dhe Pato zgjodhëm menjëherë Korinthians. Nëse gjërat do të kenë një fund pozitiv, kjo do të cilësohet si një lëvizje e studiuar prej kohësh”, ishin fjalët e Veloz.
“Shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë, kemi folur me Galianin dhe ai i ka kuptuar arsyet tona për këtë zgjedhje. Ai e ka kuptuar që për Pato ka ardhur koha që të përjetojë një eksperiencë në një vend tjetër. Kemi zgjedhur Korinthians dhe ata na kanë pritur mjaft mirë, duke bërë maksimumin për konkretizimin e kësaj marrëveshje”.
“Mes dy klubeve mungojnë ende disa detaje të vogla, por nuk më takon mua të flas për to”, tha menaxheri i lojtarit i cili nga ana e vet ka zgjidhur çdo çështje ekonomike me klubin brazilian.
Sipas mediave braziliane, drejtuesit e klubit dhe sponsorët kërkojnë me ngulm që prezantimi i lojtarit të bëhet që me datën 2 janar. (LajmeShqip.com)
Monday, 31 December 2013 09:18