Dita e 500-të nën pronësinë e kompanisë amerikane ka sjellë si dhuratë projektin e stadiumit të ri të skuadrës së Romës. Atë e ka prezantuar nëpërmjet një video-konference nga Orlando vetë presidenti i skuadrës, Xhejms Palota, ndërsa në Itali në sallë u shfaqën administratori i deleguar, Klaudio Fenuçi dhe drejtori sportiv Valter Sabatini.
Stadiumi i ri, krejtësisht në pronësi të klubit, do të ketë 55-60 mijë vende dhe do të ndërtohet në terrenin ku më parë qëndronte hipodromi i “Tor Di Vale”, ndërsa pritet të inaugurohet me fillimin e sezonit 2016-2017.
“Stadiumi që po projektojmë nuk do të jetë inferior ndaj asnjë impianti tjetër. Mund të themi që tani se kapaciteti do të jetë 55 mijë vende, i mjaftueshëm për një finale të Ligës së Kampioneve, por gjithsesi tifozët do të jenë më pranë skuadrës. Stadiumi do të financohet privatisht”, bëri të ditur shefi ekzekutiv i klubit, Italo Zanzi.
“Ky është hapi i radhës që skuadra të bëhet gjithnjë e më konkurruese në nivelet më të larta në Evropë. Shpresoj që golin e parë në stadiumin e ri ta shënojë Toti. Kur erdhëm, objektivi i parë ishte të ndërtonim një staf menaxhimi të lartësisë së duhur dhe më pas të ndërtonim një skuadër në lartësinë e duhur të objektivave që ndjekim. Siç ka thënë Toti, tifozët e meritonin një stadium për të mbyllur kështu këtë rreth vicioz të shkëlqyer”, ishin fjalët e presidentit Palota në prezantimin e projektit ambicioz të kryeqytetasve, që bëhen skuadra e dytë pas Juventusit që ndërton një stadium që do të jetë 100% në pronësinë e saj. (LajmeShqip.com)
Monday, 31 December 2013 09:14