Tifozët e Real Madrid kanë bërë të qartë se kapiteni i kësaj skuadre ka mbështetjen e plotë të tyre. Rreth 7 mijë tifozë kanë qenë dje të pranishëm në stërvitjen e parë pas pushimit të festave të Real Madrid në stadiumin “Alfredo Di Stefano”, duke treguar mbështetjen për portierin i cili u la në pankinë nga Zhoze Murinjo në ndeshjen ndaj Malagas.
Stërvitja me dyer të hapura ishte programuar nga Zhoze Murinjo si një lloj “dhurate” ndaj tifozëve për festat e fundvitit, por trajneri portugez ka dëgjuar thuajse gjatë gjithë kohës vetëm ovacionet “Iker, Iker” që i adresoheshin portierit të madrilenëve që në fillimin e stërvitjes e deri në përfundimin e saj.
As prania mes tifozëve e presidentit të Real Madrid, Florentino Perez, nuk ka ndaluar thirrjet në adresë të portierit, i cili në fund të stërvitjes është ka falënderuar tifozët para tribunës, duke nënshkruar autografe dhe duke bërë fotografi me ta.
Nuk dihet se si do të reagojë Zhoze Murinjo ndaj kësaj sjellje, pasi tifozët thuajse injoruan pjesën tjetër të skuadrës gjatë ovacioneve të tyre dhe bënë të qartë me këtë qëndrim se për ta, Kasijas mbetet i paprekshëm. (LajmeShqip.com)
Monday, 31 December 2013 09:13