Portieri i Juventusit, Xhanluixhi Bufon, mendon se shoku i tij i skuadrës, Andrea Pirlo, është po aq i mirë sa ylli Barcelonës, Lionel Mesi. Ky i fundit ka shënuar 91 gola në vitin 2012, e ndonëse portieri ka vlerësuar këto arritje, mendon se Pirlo ka të njëjtat aftësi.
“Mesi është një lojtar që mbërrin një herë në gjeneratë. Më duket e pamundur që ndonjë qenie njerëzore të arrijë të përsëritë shifrat që po vendos Mesi. Por ai është sulmues, ndaj shifrat e ndihmojnë. Mendoj se Andrea Pirlo ka të njëjtën lloj cilësie në lojën e tij. Ai nuk ka nevojë të ketë zili askënd, por në botën e futbollit, çmimet i marrin ata që shënojnë gola”, tha Bufon për “Sport Mediaset”.
Kapiteni i Juventusit pranoi gjithashtu se sukseset e fundit me këtë skuadër e kanë bërë të besojë se mund të luajë futboll në këto nivele të paktën deri në moshën 37 vjeçare, ndërsa i kanë shtuar besimin në aftësitë e tij.
“Jam 34 vjeç dhe nuk ndjehem i plakur, por i pjekur. E di ku mund të shkoj dhe mendoj se mund të luaj edhe për tre vite në nivelin më ët lartë”, shtoi lojtari që me Juventusin në sezonin e kaluar fitoi kampionatin dhe Supërkupën e Italisë. Ai arriti të shkonte edhe në finalen e Euro 2012, ku Itali e tij u mund 4-0 nga Spanja.
“Viti 2012 ishte një vit i mbushur me kënaqësi sportive e personale. Ky do të jetë një vit që do ta kujtoj për një kohë të gjatë. Ishim në gjendje të bënim diçka të paharrueshme falë punës dhe fatit që u drejtuam nga një trajner i madh. Askush nuk e priste të shkonim në finale, nuk ishim asnjëherë mes favoritëve”. (LajmeShqip.com)
Sunday, 30 December 2012 13:30