Mesfushori i Interit, Havier Zaneti, dëshiron të qëndrojë në Itali pasi të mbyllë karrierën e tij si futbollist dhe ka treguar se dëshiron të marrë një detyrë si trajner në radhët e këtij klubi, pasi të largohet nga futbolli i luajtur. Megjithëse argjentinasi flet me shumë nostalgji për vendlindjen e tij, ai dëshiron të vazhdojë punën në një klub, pjesë e të cilit është që në vitin 1995.
“Ky klub më ka dhënë shumë. Jeta ime është në Itali tani dhe kur të mbaroj së luajturi, do të bëhem një trajner te Inter”, tregoi ai për “Ole”. “Gjithçka është vendosur. Unë isha i mirë për këtë klub në gjithë këto vite dhe kjo do të vazhdojë edhe në një rol të ri. Do të qëndroj në Milano me familjen time”.
Mesfushori vazhdon të ketë lidhje të ngushta me Argjentinën, ku kthehet herë pas here, sidomos për të mbështetur një fondacion bamirësie që ka krijuar dhe që operon në vendlindjen e tij. Por ai hodhi poshtë idenë e transferimit të përhershëm në këtë vend.
“Unë kthehem shpesh në Argjentinë, por vetëm për aktivitete që kanë lidhje me fondacionin “Pupi”. Kështu do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, konfirmoi ai. (LajmeShqip.com)
Sunday, 30 December 2012 09:24