Legjenda e Milanit, ish-mbrojtësi Paolo Maldini, ka etiketuar ish-skuadrën e tij si “absolutisht normale”, ndërsa beson se ka një diferencë të thellë mes skuadrave elitare në Evropë dhe kuqezinjve. Maldini ka fituar 5 herë Ligën e Kampioneve dhe 7 tituj kampion në Itali gjatë 25 viteve me këtë klub, por tani beson se klubi nuk po shfaq më të njëjtat ambicie në vitet e fundit.
“Unë isha me fat të qëndroja me Milanin për 25 vjet. Kur mbërrita këtu, gjeta themelet për të ndërtuar një klub të madh. Presidenti Berluskoni na tha që të mendonim për gjëra të mëdha dhe investoi për ato. Pastaj erdhi Saki dhe ne kishim mentalitetin që do të bëheshim simboli i një mënyrë loje të futbollit, ishte diçka magjike”.
“Por me kalimin e kohës, magjia humbi dhe Milan u transformua në një klub absolutisht normal. Kjo ndodhi pasi Milani ndaloi transmetimin e atij mesazhi dhe ata që kishin shkruar historinë e këtij klubi ndaluan së mësuari njohuritë e tyre gjeneratës së ardhshme. Në përbërjen aktuale të Milanit, nuk ekziston askush mes atyre lojtarëve që nënshkruan historinë, përveç atyre që mbajnë rolë krejtësisht dytësore”.
Ish-mbrojtësi kritikoi ashpër kuqezinjtë edhe për mungesën e plotë të organizimit dhe planifikimit afatgjatë.
“Është e vështirë të vlerësosh planifikimin te ky Milan, pasi gjatë verës ata larguan 12 lojtarë të kalibrit të lartë dhe përsëri nuk ishin të përgatitur për një fillim të vështirë të sezonit. Sinqerisht, nuk mund ta kuptoj se cilat janë planet e tyre. Të zgjedhësh disa lojtarë, edhe pse me parametër zero, duket shumë larg idesë së një plani të mirëfilltë”.
Në fund ai theksoi se nuk synonte të bëhej trajner dhe kishte refuzuar shpesh oferta nga kuqezinjtë. Por ai vazhdon të jetë i mendimit se figurat sportive duhet të mbeten pjesë e klubeve.
“Nuk kam dashur asnjëherë të bëhem trajner dhe as drejtor sportiv pasi nuk më pëlqen politika. Nëse do të qëndroja në futboll do ta bëja për të shpërndarë njohuritë që kam marrë, nuk më intereson një rol prestigji. Kam refuzuar disa herë ofertat e Milanit, Leonardo më kërkonte që thjesht të rrija aty. Alegri më telefonoi dhe më tha se kishte nevojë për një njeri që ta kontrollonte atë dhe të jepte mendime jashtë stafit të zakonshëm, si dhe për të folur me lojtarët më të rëndësishëm. Unë thjesht mendoj se mund të jap mbrapsht pak nga magjia e Milanit. Kam fituar më shumë se çdokush me këtë klub dhe kam luajtur më shumë se çdokush me fanellën e tij, por mendoj se Milani më ka dhënë më shumë, ndaj i jam borxhli. Thjesht mendoj se ish-lojtarët duhet të kenë një rol në klub. Shikoni Bajern Mynih dhe Real Madrid që kanë drejtues si Bekenbauer, Hënes, Rumenige, Butragenjo, Galego e Valdano. Magjia mund të transmetohet dhe mësohet nga ato që e kanë përjetuar dhe krijuar atë. Milani e kishte atë magji për 25 vjet, por tani e humbi”. (LajmeShqip.com)
Sunday, 30 December 2012 09:20