Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, ka ftuar klubet italiane të ndjekin sa më parë shembullin e Juventusit nëse duan të mbijetojnë financiarisht dhe të gjejnë rrugën e sukseseve në fushën e lojës. Bardhezinjtë fituan titullin në sezonin e kaluar dhe këtë vit kryesojnë në shkëputur renditjen, ndërsa janë kualifikuar edhe mes 16 më të mirëve në Ligën e Kampioneve.
Platini beson se “Juventus Stadium” i inauguruar në sezonin e kaluar, ishte kyçi i këtij suksesi dhe mendon se edhe klubet e tjera duhet të rinovojnë sa më parë stadiumet e tyre.
“Problemi i Italisë janë stadiumet. Duhet t’i rindërtoni nga e para, por gjëja e parë që ju nevojitet është dëshira e mirë e politikës për t’i ndërtuar ato. Stadiumet nuk është se të sjellin pikë në renditje, por janë themelore kur bëhet fjalë për kredibilitetin e klubeve dhe sistemin e fair play financiar. Për më tepër, janë të rëndësishëm për të zgjidhur problemet ekonomike të klubeve”.
Ndonëse ai nuk di të thotë nëse Juventus mund të jetë fitues i Ligës së Kampioneve, Platini mendon se bardhezinjtë janë kthyer përsëri mes më të mëdhenjve në Evropë, pas disa viteve mungesë.
“Juventusi është globalizuar. Ata janë bërë përsëri një skuadër e madhe dhe pas suksesit në Itali ata po lënë shenjë edhe në Evropë. Nuk e di nëse ata janë të fortë sa duhet për të fituar Ligën e Kampioneve. Ajo është thjesht çështje mentaliteti që Juventusi i kohës time e kishte”. (LajmeShqip.com)
Saturday, 29 December 2012 16:46