Majemi ka pësuar një humbje të papritur në fushën e Detroit, një skuadër e cila nuk vlerësohet mes më të fortave në NBA. Shkak i kësaj humbje është edhe mungesa e Duejn Uejd, i pezulluar për një faull që kreu të mërkurën.
LeBron Xhejms shënoi 35 pikë dhe Kris Bosh shtoi 28 të tjera, por kampionët e NBA nuk ishin në lartësinë e duhur për të ndalur vendasit që triumfuan 109-99, ku shkëlqeu i gjithë stoli i rezervave, autorë të 64 pikëve në këtë sfidë. Më i miri ishte padyshim Uill Bainëm, me 25 pikë e 10 pasime të regjistruara.
Edhe skuadra tjetër që pretendon për titull në Konferencën e Lindjes, Nju Jork, është mundur mbrëmë në fushën e Sakramentos me një gjuajtje për tre pikë në sinjalin e sirenës. Protagonisti i ndeshjes u bë Xhejms Xhonson me gjuajtjen e tij për tre pikë në fund të takimit, i cili ironikisht kishte humbur të 11 tentativat e para të këtij sezoni, por realizoi të 12-tën që i dha suksesin ekipit të tij.
Ndërkohë, vazhdon seria e fitoreve për LA Klipërs që kanë çuar në 16 numrin e sukseseve radhazi në këtë sezon. Kris Pol shënoi 29 pikë, ndërsa Bleik Grifin shtoi 22 pikë e 13 topa në tabelë për të mundur Utah me rezultatin 116-114 dhe për të ruajtur vendin e parë në Konferencën e Perëndimit. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Feniks-Indiana 91-97
Orlando-Uashington 97-105
Majemi-Detroit 99-109
Atlanta-Kliveland 102-94
Sharlot-Bruklin 81-97
Toronto-Nju Orlins 104-97
Denver-Dallas 106-85
Hjuston-San Antonio 116-122
LA Klipërs-Utah 116-114
Nju Jork-Sakramento 105-106
Filadelfia-Golden Steit 89-96
Portland-LA Leikërs 87-104
Saturday, 29 December 2012 10:26