Kush kërkon David Vija, duhet të bëjë gati një çek me të paktën 20 milion euro të shkruara në të. Mediat angleze kanë bërë të ditur se lojtari i katalanasve është në shitje, ndonëse këta të fundit nuk e kanë pranuar publikisht një gjë të tillë.
Rekordmeni i golave me kombëtaren e Spanjës po ndiqet më vëmendje nga klubet angleze, të cilat kanë kërkuar informacion zyrtar nga Barcelona për një transferim të mundshëm të lojtarit i cili është kthyer në një zëvendësues në drejtimin e Tito Vilanovas.
Zyrtarët e Arsenalit kanë qenë të parët që kanë mësuar çmimin që i ka vënë klubi katalanas lojtarit, pasi Arsen Venger ka dërguar bashkëpunëtorët e tij për të folur me spanjollët rreth një transferimi të mundshëm. Por “topçinjtë” duket se janë trembur disi nga ky çmim, pasi mosha 31 vjeçare e futbollistit nuk hyn në “parametrat” që kërkon zakonisht trajneri francez, i mësuar të punojë me të rinj.
Ndonëse Barcelona nuk ngutet për të shitur lojtarin, duke ditur se ai ka treg dhe mund të largohet për një shumë më të lartë në verë, Çelsi dhe Mançester Siti nuk kanë vonuar të tregojnë interesimin e tyre. Nga njëra anë, Rafael Benitez e sheh atë si partnerin më të mirë të mundshëm për Fernando Torres, duke njohur bashkëpunimin mes të dyve në radhët e përfaqësueses spanjolle. Për këtë arsye, ai po përpiqet të bindë Roman Abramoviç të afrojë sulmuesin spanjoll në skuadër, edhe pse ky i fundit e di mirë që nuk është zgjedhje e parë në radhët e londinezëve. Kjo mund të jetë arsyeja pse Benitez po ndjek nga afër një tjetër spanjoll, sulmuesin Alvaro Negredo të Seviljes.
Disi më ndryshe do të ishte situata te Mançester Siti, që është vënë në kërkim të një golashënuesi të mirëfilltë. Ndonëse kampionët e Anglisë kanë emra të frikshëm në repartin e avancuar si Aguero, Tevez, Xheko e Baloteli, asnjë prej tyre nuk shënon me rregullsi, duke bërë që Mançini të kërkojë një lojtar tipik për zonën e rreptësisë. (LajmeShqip.com)
Friday, 28 December 2012 18:15