Trajneri i Spanjës, Vicente Del Boske, mendon se Bajern Mynih tashmë bën pjesë në elitën e futbollit evropian, përkrah ekipeve Barcelona dhe Real Madrid. Del Boske i thuri lëvdata punës së Jup Heinkes me ekipin bavarez dhe është i bindur se ai mund t’i sigurojë Ligën e Kampioneve kësaj skuadre në këtë edicion.
“Bajern Mynih është skuadra më e fortë në aktivitet, bashkë me Barcelonën dhe Real Madrid. Për këtë nuk kam dyshime”, tha ai për “Bild”. “Unë e njoh Heinkes dhe e respektoj jashtëzakonisht shumë. Ai ka bërë një punë të shkëlqyer si trajner në drejtimin e Real Madrid në të kaluarën”.
“Heinkes i dhuroi klubit fitoren e 7-të në Ligën e Kampioneve në vitin 1998, pasi fansat e skuadrës kishin 30 vite që prisnin për një sukses të tillë. Por edhe tani po ecën mjaft mirë”, tha trajneri spanjoll për homologun e tij.
Një tjetër trajner gjerman që ka marrë elozhe nga Del Boske ka qenë pikërisht ai që vitet e fundit është shfaqur shpesh si rivali i tij i madh, Joakim Lëv, i cili drejton përfaqësuesen e Gjermanisë.
“Mendoj se paraqitja dhe stili i lojës që i ka dhënë Gjermanisë është shumë tërheqës. Ai po drejton një projekt gjatë të cilit i ka dhënë futbollit gjerman një stil të ri loje, duke arritur rezultate të mira”.
“Në vitin 2008 ishin në finale, në 2010 dhe 2012 ishin në gjysmëfinale. Askush nuk mund ta parashikonte që ishte Spanja që do t’i fitonte këto tre turne. Gjermanët duhet të jenë krenarë me Lëv, edhe pse nuk kanë fituar ende një titull me të”, tha Del Boske. (LajmeShqip.com)
Thursday, 27 December 2012 18:00