Zhoze Murinjo ka preferuar që të qëndrojë në heshtje rreth zërave rreth të ardhmes së tij dhe një krisje të mundshme të marrëdhënies me presidentin e Real Madrid, Florentino Perez.
Trajneri portugez ka preferuar të driblojë pyetjet rreth kësaj çështje kur është ndalur nga gazetarët e pranishëm në aeroportin e Dubait, ku ai ka udhëtuar për të marrë pjesë në një eveniment të figurave të shquara të futbollit botëror.
“Tani nuk është momenti për të folur për të ardhmen time”, ishte komenti i vetëm i trajnerit portugez, i cili po kritikohet gjithnjë e më shumë jo vetëm nga shtypi spanjoll, por edhe nga tifozët e skuadrës të cilët deri pak kohë më parë e shihnin si shpëtimtar, sidomos pasi theu hegjemoninë e Barcelonës.
Nuk dihet se cili është destinacioni i tij, me skuadra të njohura si Mançester Siti, Mançester Junajtid e PSZH që mendohet se janë të interesuara për të, po ashtu si janë të interesuara edhe për bashkëkombësin e tij, Kristiano Ronaldo.
E përditshmja spanjolle “AS” ka publikuar sot lajmin se edhe lojtari nuk dëshiron të qëndrojë më në Madrid dhe ka u ka bërë të qartë drejtuesve të klubit se nuk do të pranojë rinovimin që i kanë ofruar, ndonëse mendohet se madrilenët dëshirojnë t’i rritin rrogën në 15 milion euro në sezon.
Lojtari vazhdon t’i qëndrojë besnik “trishtimit” që bëri publik në fillimin e këtij sezoni, por as paratë nuk i kanë kthyer atij buzëqeshjen, pasi sheh çdo ditë e më shumë se e gjithë bota e futbollit e cilëson atë numrin 2, pas Lionel Mesit. Duke pasur parasysh se Barcelona pritet të dominojë në Spanjë edhe në vitet në vazhdim, portugezi po kërkon të largohet, për të dalë nga hija e argjentinasit i cili është bërë pengesa më e madhe e karrierës së tij të shkëlqyer. (LajmeShqip.com)
Thursday, 27 December 2012 17:35