Mesfushori i Barcelonës, Havier Maskerano, ka zbuluar se francezi Klod Makelele është lojtari të cilin ai është munduar të kopjojë gjatë karrierës së tij. Mesfushori, i cili për katalanasit luan shpesh në qendër të mbrojtjes, beson se ish-futbollisti i Real Madrid dhe Çelsit është një nga më të mirët që ka parë në këtë rol.
“Makelele ka qenë gjithmonë heroi im. Kur isha i ri, unë gjithmonë mundohesha ta kopjoja, pasi në rolin një mesfushori mbrojtës, ai ishte një nga emrat më të mëdhenj që ka luajtur në këtë pozicion”.
“Unë gjithmonë e kam ndjekur me vëmendje dhe jam munduar të mësoj nga ai. Gjithashtu, kam pasur fatin të luaj kundër tij kur unë isha te Liverpuli dhe ai te Çelsi. Si mesfushor mbrojtës, ai është më i miri që kam parë nga afër”.
I pyetur se cili është trajneri më i mirë që e ka stërvitur, Maskerano nuk ka arritur të bëjë dallimin mes katër të preferuarve.
“Bielsa, Guardiola, Benitez dhe tani Vilanova. Me të gjithë këta trajnerë kam mësuar shumë dhe të gjithë më kanë dhënë diçka për të ardhmen”, tha futbollisti 28 vjeçar i Barcelonës. (LajmeShqip.com)
Thursday, 27 December 2012 10:19