Mbrojtësi i Real Madrid, Pepe, ka deklaruar se portugezët po persekutohen nga mediat dhe publiku në Spanjë për shkak të kombësisë së tyre. Sipas tij, prania e shumë portugezëve në radhët e Realit ka bërë që të lindin polemika më të mëdha, sa herë që kjo skuadër të krahasohet me Barcelonën.
“Do të dëshiroja shumë që Kristiano Ronaldo të merrte “Topin e Artë”, pasi është një mik i imi por sidomos për atë që i ka dhënë futbollit. Ai ka qenë 5 herë mes 3 më të mirëve në 6 vitet e fundit, duke arritur tashmë të fitojë edhe kampionatin spanjoll. Por duket se ai nuk do të jetë fituesi”.
“Kristiano duhej të kishte marrë një trajtim ndryshe nga shtypi dhe një pjesë e tifozëve. Meqë ata duan të sulmojnë Murinjon, sulmojnë edhe pjesëtarët e tjerë portugezë të skuadrës. Çfarëdo gjëje që ne bëjmë në fushë apo jashtë saj interpretohet ndryshe dhe kur gjërat kanë lidhje me Barcelonën, marrin një tjetër dimension. Kjo vjen për shkak se Barcelona është një ekip me një strukturë mjaft të konsoliduar dhe gjithçka ecën në rrugën e duhur për ta”, tha ai, duke iu referuar mbështetjes që marrin katalanasit nga mediat e ndryshme.
I pyetur nëse e ndjen veten “i persekutuar”, Pepe nuk ka pasur dyshime. “Po, ne jemi të persekutuar. Ne jemi të huaj dhe kjo duket qartë në preferencat e mediave. Nuk mendohen dy herë kur bëhet fjalë për të zgjedhur mes një portugezi dhe një spanjolli”.
“Ky persekutim vjen nga xhelozia, nga fakti se Spanja nuk ka pasur asnjëherë një lojtar të denjë për të fituar “Topin e Artë”, në kundërshtim nga Portugalia që kishte Figon e Kristiano Ronaldon. Nuk i pëlqen një gjë e tillë dhe e ndjejmë këtë atmosferë sidomos kur luajmë jashtë Madridit. Ekziston një trysni më e madhe ndaj portugezëve, por duhet të mësohemi me një gjë të tillë”, ishte deklarata mjaft e fortë e Pepe, i cili me këto fjalë nuk është se ka përmirësuar situatën e tij në sytë e opinionit publik në Spanjë, ashtu siç e pranon vetë ai.
“Kas faullit ndaj Kaskero në vitin 2009, mendova realisht të largohesha nga futbolli. Ajo ngjarje bëri që unë të shenjestrohesha përgjithmonë në Spanjë dhe në të gjithë botën. Edhe sot më thërrasin vrasës”, pranoi mbrojtësi portugez. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 26 December 2012 19:19