Hose Luis Kaminero ka bërë të ditur se Atletiko Madrid po bën “përpjekje titanike” për të mbajtur në skuadër Radamel Falkaon sa më gjatë që të jetë e mundur. Sulmuesi iu bashkua Atletikos nga radhët e Portos në vitin 2011 për 40 milion euro, duke shënuar 36 gola për të çuar skuadrën e tij në vendin e 5-të në kampionat dhe për t’i siguruar triumfin në Europa League në sezonin e kaluar.
Kuptohet që një formë e tillë bëri që të zgjohej interesi i shumë klubeve të mëdha, por Kaminero është i lumtur që ia ka dalë mbanë të mbajë kolumbianin.
“Duhet të vlerësoni përpjekjet që ka bërë klubi për të. Në kohët e sotme është shumë e vështirë të mbash një lojtar të nivelit të tij. Ishte një përpjekje titanike e klubit por duhet të falënderojmë edhe përfaqësuesit e Falkaos dhe lojtarin për bashkëpunimin”.
“Ne të gjithë kemi përfituar nga qëndrimi i tij dhe jemi të lumtur që kemi një nga lojtarët më të mirë në botë në klubin tonë”, tha Kaminero për mediat spanjolle.
Drejtori sportiv ka thurur lëvdata edhe për Diego Simeonen, duke e cilësuar trajnerin si motivin kryesor të sukseseve të skuadrës në vitin 2012.
“Simeone është një pikë reference për të gjithë. Ai ka qenë lojtar këtu dhe e di se çfarë kërkohet dhe çfarë nevojitet për identitetin e këtij klubi. Ai i ka dhënë skuadrës dëshirën për të fituar. Guximi dhe karakteri i tij shihen në mënyrën se si luajmë. Ky ekip e di që ndeshjet duhen marrë me radhë dhe po e tregon një gjë të tillë çdo javë”, deklaroi ai. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 26 December 2012 17:17