Marrëdhënia mes Iker Kasijas dhe Zhoze Murinjos nuk është ndër më të mirat dhe kjo u provua përfundimisht kur trajneri portugez uli në stol portierin në ndeshjen kundër Malagas. Por ky vendim nuk duket se është krejtësisht teknik, pasi gazeta “Marca” ka zbuluar se tashmë urrejtja është e nxitur nga persona të stafit.
Komunikimi mes Kasijas dhe Silvino Louro, përgatitësit të portierëve te Reali, është thuajse inekzistent, gjë që ka ndikuar te Murinjo dhe fakti që ky i fundit ka humbur besimin te portieri titullar, në favor të Antonio Adan.
Murinjo i beson verbërisht Louro, i cili është krahu i djathtë i tij, ashtu si Rui Faria që luan rolin e zëvendësit prej shumë vitesh. Çdo gjë që përgatitësi i portierëve i komunikon Murinjos, ka një rëndësi shumë të madhe ndaj fakti që ai nuk flet më me Kasijas, ka bërë që kapiteni të mos shihet me sy të mirë.
Dy javë më parë, Murinjo është zënë me një gazetar të “Radio Marca”, Anton Meana, i cili raportoi se të gjithë e shohin Silvino Louro si një “spiun” të Murinjos. Gazetari u rrethua nga stafi teknik i madrilenëve, ku fillimisht Louro e më pas edhe Murinjo e kërcënuan që të tregonte burimin e informacionit, por ai nuk pranoi të bënte një gjë të tillë. Por pak ditë më vonë erdhi edhe “dënimi” ndaj Kasijas, duke shtuar më shumë dyshimet rreth rolit të përgatitësit të portierëve, pasi duket qartë se ai mendon që gazetari i ka marrë këto komente pikërisht nga kapiteni i madrilenëve. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 26 December 2012 16:03