Çelsi po përgatitet të hyjë në garë për të siguruar sulmuesin e Barcelonës, David Vija, pasi Rafael Benitez kërkon një lojtar që mund të përshtatet me Fernando Torres dhe mund të luajë përkrah tij.
Pasi arriti me sukses të kthejë Torres në rolin e një golashënuesi të mirëfillte dhe të rregullt, trajneri spanjoll mendon se si të ndihmoj më shumë sulmuesin e vetëm që ka në skuadër.
Një objektiv i merkatos vazhdon të mbetet edhe lojtari i ri i Bajer Leverkusen, Andre Shurle, por Vija është një lojtar që mund të merret në huazim deri në fundin e sezonit, pa prishur planet afatgjata që kanë londinezët për të blerë Radamel Falkaon.
Vija është i pakënaqur te Barcelona, ku është kthyer në një lojtar stolit dhe sipas mediave britanike, nuk do t’i thoshte jo një transferimi te Çelsi, për sa kohë që aty ka të garantuar se do të luajë më me rregullsi se te katalanasit. Rekordmeni i golave për Spanjën është 31 vjeçar, por Benitez e sheh eksperiencën e tij nga një këndvështrim tjetër. Vija te Çelsi mund të luajë si qendërsulmues në takimet kur Torres do të lihet të pushojë, ose të luajë në krah bashkë me të, ashtu siç bënin disa vite më parë në përfaqësuese.
Çelsi është i detyruar të blejë një sulmues në janar edhe për faktin se nuk ka asnjë lojtar tjetër për repartin e avancuar përveç Torres. Çdo eksperiment tjetër, si ai i aktivizimit të Hazard apo Moses në sulm, ka dështuar dhe ishin pikërisht këto eksperimente në Ligën e Kampioneve që sollën edhe shkarkimin e Roberto Di Mateos. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 26 December 2012 15:51