Sulmuesi i Njukasëll, Demba Ba, ka shprehur publikisht dëshirën të transferohet te PSZH nëse është e mundur, ndonëse për të ka interes të vazhdueshëm nga skuadra si QPR e Arsenal. Lojtari ka një klauzolë në kontratën e tij që e lejon të largohet për shumën e 7 milion paund dhe shumë klube janë të gatshme ta aktivizojnë atë në janar, duke parë formën e mirë që po kalon.
“Unë e shoh PSZH si një tifoz i kësaj skuadre”, tha Ba. “Nuk e kam fshehur kurrë tërheqjen që kam ndaj këtij klubi si tifoz i tij. Jam një mbështetës i kësaj skuadre që fëmijë”.
Lojtari 27 vjeçar ka pranuar se tashmë parisienët janë një skuadër me një profil krejtësisht ndryshe nga ai i mëparshmi, falë mbështetjes financiare dhe blerjeve të mëdha që kanë bërë.
“Tani ata po bëjnë gjëra të mëdha dhe të rëndësishme, ndërsa kanë plane për të ardhmen. Sigurisht që do të më pëlqente të luaja për një skuadër të tillë, për ekipin me të cilin jam tifoz”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 26 December 2012 15:00