Fati i Zhoze Murinjos do të jetë i lidhur ngushtë me reagimin e tifozerisë së Real Madrid. Nëse këta të fundit do të fillojnë të kontestojnë ashpër trajnerin portugez, atëherë presidenti Florentino Perez do të jetë i detyruar ta largojë atë nga detyra, pasi ky është një vit zgjedhor dhe në qershor do të kërkojë përsëri votëbesimin e anëtarëve të klubit.
Perez nuk është i kënaqur me Murinjon dhe sipas mediave spanjolle, është ndjerë i tradhëtuar nga ai, pasi para ndeshjes me Malagan i kishte konfirmuar besimin. Por Murinjo e ka “falënderuar” duke krijuar një polemikë të re me uljen në stol të Kasijas, me Perez që nuk ka gjetur fjalë për të komentuar këtë veprim ndaj atij që cilësohet një nga legjendat e klubit.
Presidenti i Realit po e merr gjithnjë e më shumë në konsidratë idenë e largimit të Murinjos, por dëshiron që ta mbajë atë deri në fundin e sezonit me shpresën që portugezi t’i sjellë Ligën e Kampioneve të shumëpritur. Por këtu hyjnë në skenë tifozët dhe fakti që ky është një vit zgjedhjesh për madrilenët.
Në qershor, Perez do të rikandidojë për postin e presidentit të klubit, ndaj po përpiqet të mbajë të lumtur të gjithë tifozët që janë njëkohësisht anëtarë me të drejtë vote. Jo rastësisht, në ndeshjen e 6 janarit kundër Real Sociedad, ai ka vendosur të ulë në 50% çmimine biletave të blera nga anëtarët e klubit, me shpresën që të sjellë sa më shumë në stadium.
Problemi është që të gjithë këto tifozë mund të kontestojnë Murinjon dhe një gjë e tillë do të dëmtonte imazhin e Perez, të cilit i është kujtuar se Bernd Shuster u shkarkua nga puna kur tha se Reali nuk fitonte dot ndaj Barcelonës, ndërsa Murinjos nuk i ka hyrë asnjë gjembë në këmbë edhe pse pa kaluar gjysmën e kampionatit, ka dalë krejtësisht nga lufta për titull.
Nëse portugezi vendos të ulë në pankinë Iker Kasijas edhe kundër Real Sociedad, atëherë Perez nuk do të ketë rrugë tjetër përveç shkarkimit të tij, pasi tifozët kanë bërë të qartë se në luftën mes portierit dhe Murinjos, ai që sakrifikohet duhet të jetë tekniku portugez. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 25 December 2012 16:16