Mesfushori i QPR, Adel Tarabt, ka bërë të ditur se ka filluar bisedimet me klubin e Milanit për një transferim të mundshëm në radhët e skuadrës italiane. Ylli maroken i skuadrës angleze ka bërë të qartë se menaxheri i tij është në bisedime me shefin ekzekutiv të kuqezinjve, Adriano Galiani, ndërsa kalimi te skuadra italiane mund të bënte që të vinin oferta më të rëndësishme nga klube me emër si Real Madrid e Barcelona, që mendohet se janë interesuar shpesh për të.
Tarabt ka luajtur një rol thelbësor për QPR, duke qenë edhe protagonisti i fitores së vetme të skuadrës ndaj Fullhemit në këtë sezon me dy golat e tij, ndërsa ka patur shpesh spekulime për një largim të mundshëm.
“Unë do të refuzoja oferta nga klubet e mëdha angleze nëse Milani do të më bënte një ofertë. Menaxheri im është në bisedime me Galianin por gjithçka varet nga ajo që do të ndodhë me Robinjo dhe Pastore”, ishin fjalët e marokenit për “La Gazzetta Dello Sport”.
“Milan nuk po kalon një periudhë të mirë tani dhe nuk është më pjesë e klubeve të elitës. Megjithatë, nëse i bashkohem Milanit, kjo do të hapte dyert për klubet e mëdha si Real Madrid e Barcelona”.
Sipas tij, transferimi te Milani do të ishte një hap i suksesshëm në karrierë, pasi është i bindur se mund të shkëlqejë në radhët e kësaj skuadre, ashtu siç ka bërë Kevin Princ Boateng, me të cilin ka luajtur kur ishin në radhët e Totenhem, para se ky klub t’i largonte.
“Miku im Boateng është te Milan gjithashtu. Kur ne ishim te Totenhem, ai qëndronte shpesh në tribunë, ndaj mendoj se edhe unë kam një shans t’ia dal mbanë te Milani”, tha Tarabt. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 25 December 2012 16:13