Johan Krujf mendon se nuk është pozitiv për kampionatin spanjoll fakti se ka kaq shumë diferencë pikësh mes dy ekipeve të mëdha që pretendojnë për titull. Këtë fakt ai e ka pranuar edhe pse vetë është një tifoz i flaktë i Barcelonës dhe mënyrës se si luan ajo.
“Kjo është diçka e keqe, diferenca është e tmerrshme. E vërteta është se nuk është diçka e mirë për kampionatin. Një kampionat vlerësohet nga tensioni dhe emocioni që krijon gara. Këtu ka mbaruar që tani i gjithë tensioni”, tha ai.
Krujf vlerësoi më pas edhe filozofinë e Barcelonës. “Që të njihni të vërtetën si luan Barcelona, duhet të vëzhgoni se si luan kur nuk ka topin. Barça bën gjithmonë trysni te portieri kundërshtar kur ai mban topin, me objektivin për ta rikuperuar. Në botën e futbollit, më e vështira është të bësh mirë gjërat e thjeshta. Kjo është diferenca më e rëndësishme mes Barçës dhe pjesës tjetër të ekipeve”.
Holandezi nuk i ka rezistuar tundimit për të lëshuar kritikën e radhës ndaj Real Madrid dhe mënyrës se si vepron ky klub në edukimin e lojtarëve.
“Ajo që më bezdis është mënyra se si edukojnë të rinjtë. Shihni se si sillen Mesi, Ksavi e Iniesta dhe do ta kuptoni se për çfarë e kam fjalën. Ata janë njerëz normal, krejtësisht të thjeshtë”, tha Krujf, duke bërë të qartë se mendon që lojtarët e Realit sillen si yje. (LajmeShqip.com)
Monday, 24 December 2012 21:07