Mançester Siti duket se ka marrë seriozisht idenë për të blerë yllin brazilian Neimar. Drejtori sportiv i klubit anglez, Çiki Begirishtajn, ka udhëtuar javën e kaluar drejt Sao Paulo për të diskutuar blerjen e mundshme të 20 vjeçarit të Santos, pavarësisht mendimit të përgjithshëm se ai duhet të qëndrojë në Brazil deri pas Botërorit 2014.
Por drejtuesit e Santos tashmë e kanë të vështirë t’i rezistojnë ofertave dhe kjo është arsyeja kryesore pse Begirishtajn ka udhëtuar në Brazil, i bindur se mund të nisë bisedime konkrete për lojtarin që vlerësohet rreth 40 milion euro.
Ironikisht, luftën më të madhe ai do ta ketë me ish-skuadrën e tij, Barcelonën, e cila prej shumë kohësh flitet se ka nënshkruar një parakontratë për blerjen e futbollistit, duke parapaguar 10 milion euro në arkat e klubit brazilian.
Por Mançester Siti nuk e ka probleme të paguajë çfarëdolloj gjobe që mund të rrjedhë nga prishja e kësaj marrëveshje, pasi sheikët kanë bërë të qartë se afrimi i një lojtari të tillë kalon çdo vlerë të mundshme monetare.
Kuptohet që Neimar do të kthehej në imazhin e ri të Sitit, duke përfituar një kontratë thuajse të barabartë me ato të Mesi e Kristiano Ronaldo, mbi 10 milion euro në vit, një shumë tmerrësisht e lartë për një 20 vjeçar që nuk ka dhënë ende prova në çfarë nivelesh mund të luajë përballë ekipeve evropiane. (LajmeShqip.com)
Sunday, 23 December 2012 18:57