Arsenali do të humbë një pjesë të konsiderueshme prej paketës prej 30 milion paund që merr në sezon nga kompania “Emirates” nëse nuk arrin të kualifikohet në Ligën e Kampioneve në të ardhmen. Trajneri Arsen Venger ka arritur t’ia dalë me sukses të kualifikojë skuadrën në turneun më të rëndësishëm për klube në çdo sezon që ai ka qenë në drejtimin e saj.
Por aktualisht Arsenali po vuan shumë që të përsëritë sukseset e edicioneve të kaluar dhe rrezikon të mbetet pa një trofe për sezonin e 8 radhazi, ndërsa ka vështirësi edhe për t’u kualifikuar në Ligën e Kampioneve në sezonin pasardhës.
Por tani sponsori kryesor i klubit, që po bëhet gati të rinovojë kontratën nga sezoni 2014-25 në vazhdim për 5 vite të tjera, po merr masa paraprake për të evituar situatën kur londinezët nuk arrijnë të shfaqen në Ligën e Kampioneve.
Zëvendëspresidenti i kompanisë me bazë në Dubai, Butros Butros, bëri të qartë se kompania e fluturimeve ajrore që ka vënë emrin si në fanellat, ashtu edhe në stadiumin e “topçinjve”, po vendos klauzola të ndryshme në kontratën e re.
“Ka disa klauzola, që fillojnë nga viti 2015, në të cilat ne i paguajmë më pak nëse nuk arrijnë të shfaqen mirë. Liga e Kampioneve është një pjesë e kësaj kontrate, ajo shërben për t’i mbajtur ata në gatishmëri, ashtu si edhe ne”, tha Butros, i cili gjithsesi konfirmoi se Arsenali është “një firmë e madhe, e drejtuar mirë dhe me një trajner të shkëlqyer”. (LajmeShqip.com)
Sunday, 23 December 2012 12:18