Humbja ndaj Malaga ka qenë një goditje e rëndë për shanset e pakta që i kanë mbetur Real Madrid për të fituar titullin kampion në Spanjë. Këtë e ka kuptuar mirë Zhoze Murinjo, i cili në fakt ka ndihmuar shtimin e polemikave rreth skuadrës së tij duke lënë në stol për këtë sfidë kapitenin Iker Kasijas.
Por portugezi mendon se pavarësisht zgjedhjeve jopopullore që ka bërë kohët e fundit duke lënë jashtë lojtarët që kanë folur shpesh kundër tij, ai nuk rrezikon vendin e punës.
“Ulja e Kasijas në stol ishte një vendim teknik, vendimi i trajnerit. Është trajneri ai që analizon situatën dhe lojtarët që ka në dispozicion dhe është po trajneri që zgjedh lojtarët që duhet të luajnë. Ky është një vendim krejtësisht teknik. Ju mund të shpikni çfarëdo historie që të dëshironi, por ky është një vendim teknik dhe asgjë më shumë. Opinioni im është ai që ka rëndësi dhe jo ai i të tjerëve”.
“Sipas mendimit tim, Adan aktualisht është më në formë se Kasijas. Meqë është trajneri që zgjedh dhe unë mora mendime të vlefshme nga asistentët e mi, ne vendosëm për një gjë të tillë”, shpjegoi Murinjo, duke treguar se këto nuk janë lëvizje që i ka bërë për të rritur pakënaqësinë dhe për të gjetur justifikim që të largohet nga klubi.
“Unë nuk po marr në konsideratë idenë e dorëheqjes dhe as nuk jam i shqetësuar se rrezikoj punën. Ky pushim i fundvitit vjen në momentin ideal. Lojtarët janë të mërzitur dhe pa energji. Nëse mendojmë për situatën, nuk ka motivime, por nëse mendojmë se çfarë përfaqëson Real Madrid, atëherë ka motivime të mjaftueshme. Por lojtarët dhanë maksimumin në fushë dhe u thashë se mund të largoheshin të qetë edhe pas humbjes, pasi kanë dhënë 100%”, përfundoi Murinjo. (LajmeShqip.com)
Sunday, 23 December 2012 11:31