Ndonëse asgjë nuk është zyrtare, aventura e Uesli Shnajder te Inter duket praktikisht e mbyllur dhe këtë fakt e ka pranuar bashkëshortja e lojtarit holandez në një intervistë të dhënë për mediat në vendlindje.
“Jemi shumë pranë largimit nga Milano. Gjithçka mund të mbyllet në ditët e para të janarit”, ishte deklarata e saj. “Destinacioni ynë? Një vend ideal për familjen”, vijoi ajo pa bërë të qartë me saktësi se ku do të përfundojë mesfushori holandez.
Por mediat italiane janë thuajse të sigurta se “vendi ideal për familjen” është Parisi, me PSZH që është gati t’i shtojë holandezin listës së blerjeve të bujshme të realizuara në vitin e fundit.
Marrëdhëniet mes lojtarit dhe Interit nuk ekzistojnë më, pasi futbollisti është lënë jashtë formacionit pasi nuk pranon të rinovojë kontratën ekzistuese duke ulur rrogën e tij në mënyrë të ndjeshme.
Në këtë situatë, duket se është vetë Interi që kërkon të largojë sa më parë futbollistin, para se vlera e tij në merkato të bjerë. Ndaj zikaltërit do të pranojnë çfarëdo oferte mbi 12-15 milion euro që i vjen për futbollistin në fjalë, me francezët e PSZH që janë të gatshëm të paguajnë menjëherë një shumë të tillë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 22 December 2012 09:56