Mbrojtësi i PSZH, Tiago Silva, ka konfirmuar se do të dëshironte të bëhej përsëri pjesë e Milanii në të ardhmen. Futbollisti brazilian u transferua në kryeqytetin francez gjatë verës pikërisht nga radhët e kuqezinjve, të cilët e shitën për 42 milionë euro. por ai pranon se ndjen shumë mungesën e ish-klubit të it dhe në të ardhmen synon që të kthehet përsëri aty.
“Të them të vërtetën, e ndjej shumë mungesën e Milanit. Askush nuk mund të mohojë këtë fakt, klubi do të jetë gjithmonë në zemrën time pasi më ka dhënë kaq shumë”, tha ai për “Sky Sport Italia”.
“Sigurisht që do të dëshiroja të kthehesha. Milani është një skuadër e madhe, më e suksesshmja në botë. Unë kam luajtur aty për 3 vite dhe nuk e di të ardhmen, por nëse më jepet përsëri mundësia për t’u kthyer aty, do të shkoja menjëherë”, pranoi ai.
Më pas, braziliani tregoi se fillimi i eksperiencës në Francë kishte qenë i vështirë, ndërsa zbuloi gjithashtu se dy bashkëkombësit e tij, Robinjo dhe Pato, me shumë mundësi do të largoheshin nga kuqezinjtë në janar.
“Situata është më mirë tani, por në fillim, ishte pak e vështirë për mua. Futbolli francez është i ashpër dhe shpesh mjaft sfidues, nuk është aq i lehtë sa mendojnë njerëzit. Robinjo dhe Pato drejt Brazilit? Klubi po kalon një moment të vështirë, ky vit dihej që do të ishet ndryshe nga të tjerët. Nuk di të them nëse Robinjo është i pakënaqur, por mendoj se nuk është aq i lumtur sa në vitin e parë që iu bashkua klubit, pasi ka një dëshirë të jashtëzakonshme për të fituar. Përsa i përket Pato, unë do ta këshilloja për një ndryshim ambienti që mund t’i shërbente. Nuk është e lehtë të flasësh për të tjerë, por mendoj se ai nuk është më i lumtur te Milani. Ai mund të kthehet në Brazil”, shpjegoi Tiago Silva. (LajmeShqip.com)
Friday, 21 December 2012 12:27