Legjenda holandeze, Johan Krujf, beson se Zhoze Murinjo po paguan aktualisht çmimin e rëndë të mënyrës se si drejton ekipet e tij. Real Madrid po vuan të qëndrojë në luftën për titull në kampionatin spanjoll, ndërsa ish-lojtari e trajneri i Barcelonës mendon se për këtë çështje duhet kritikuar portugezi dhe strategjitë e tij në merkato.
“Sjellja e tij negative do të ketë gjithmonë pasoja. Ai mendon se mënyra e tij e trajnimit është e drejtë dhe e justifikon me rezultatet e të kaluarës, por unë mendoj se kjo metodë është e gabuar”, tha Krujf për “Rac1”.
“Nuk çuditem nga ajo që po ndodh në Madrid. Kjo do të ndodhë gjithmonë kur filozofia jote është të blesh lojtarë dhe të rrezikosh me blerjet e mëdha. Lojtarët e akademisë kanë më shumë se një kontratë me klubin. Ata kanë klubin në zemrën e tyre. Transfertat mund të sjellin lojtarë të mirë, por asnjëherë për një periudhë të gjatë. Klubet kanë nevojë për sistemin zinxhir”.
Sipas Krujf, Barcelona nuk ka këto probleme, ashtu si nuk do të ketë probleme të përballojë mungesën e Tito Vilanova, i cili do t’i mungojë për të paktën 6 javë skuadrës katalanase pasi iu nënshtrua operacionit për të hequr një tumor.
“Lajmi për Titon erdhi si surprizë. Mendimet e mia janë për të gjitha për gruan dhe fëmijët e tij, ata janë personat që vuajnë më shumë dhe ne duhet të mbështetim familjen e tij. Por unë besoj se ai do të kthehet në pankinë për 2 apo 3 muaj. Në momente të tilla duhet të mendohet vetëm pozitivisht”.
“Skuadra nuk do të ndikohet nga kjo situatë. Ata janë më shumë të bashkuar tani dhe e dinë se çfarë duhet të bëjnë. Janë futbollistë me shumë eksperiencë dhe do të dinë të përballojnë situatën. Roura do të përfaqësohet mëse mirë, ai e njeh klubin pasi ka qenë pjesë e tij për shumë vite. Ai thjesht duhet të drejtojë ekipin për këtë ndeshje pastaj vijnë pushimet. Nga shkurti e më pas situata do të jetë më serioze sesa është tani, ndaj ekipi duhet të mendojë si të kalojë me qetësi momentin aktual”, deklaroi Krujf. (LajmeShqip.com)
Friday, 21 December 2012 12:01