Luis Figo i ka bërë thirrje Interit dhe Uesli Shnajder të zgjidhin mosmarrëveshjet kontraktuale mes palëve, para se kjo çështje të ndikojë negativisht në fatin e klubit dhe ecurinë e sezonit. Tashmë dihet se mungesa e lojtarit holandez në ndeshjet e fundit nuk vjen nga forma e tij fizike apo sportive, por nga fakti se nuk pranon kontratën e re që i ofron klubi me një ulje të ndjeshme të pagës.
“Të përjetosh një situatë të tillë është e vështirë për skuadrën dhe lojtarin. Shpresojmë që të zgjidhet në mënyrën më të mirë të mundshme. Si rrjedhojë, në shkurt ai mund të ndihmojë ekipin të ecë përpara. Megjithatë, çdo gjë do të vendoset nga zgjedhjet që bën trajneri”, tha Figo i cili është pjesë e administratës së zikaltërve.
Ekipi italian e vu kundër rumunëve të Kluj në shortin për fazën e eliminimi direkt në Europa League dhe Figo beson se ekipi që mori pjesë në Ligën e Kampioneve në këtë sezon është një rrezik i paparashikueshëm për Interin.
“Nuk e dimë ende nëse ky është një short i favorshëm apo jo. Këtë gjë do ta mësojmë vetëm nëse fitojmë. Kluj ishte në Ligën e Kampioneve dhe janë kampionë në fuqi në Rumani. Ata kanë shumë ngjashmëri me Rubin Kazan, por besoj se mund të përballojmë me sukses pikat e tyre të forta”, komentoi Figo. (LajmeShqip.com)
Friday, 21 December 2012 10:31