Futbollisti i përfaqësues gjermane, Tomas Myler, ka pranuar zgjatjen me dy vite të tjera të kontratës së tij me Bajern Mynih, skuadrën që aktualisht kryeson Bundesligën dhe që është kualifikuar mes 16 më të mirave në Ligën e Kampioneve. Mesfushori 23 vjeçar, prodhim i akademisë së klubit bavarez, ka hedhur firmën në kontratën e re që zgjat deri në qershorin e vitit 2017.
“Tomas Myler ka ardhur këtu nga radhët e ekipeve të të rinjve të Bajern Mynih. Ne e stërvitëm këtu dhe ai është kthyer në një lojtar shumë të rëndësishëm për Bajern Mynih”, ishin fjalët e shefit të klubit baavarez, Karl Hainz Rumenige, pas njoftimit të këtij rinovimi.
“Kontrata e tij vazhdonte deri në vitin 2015, por ne jemi mëse të lumtur që arritëm ta shtynim atë deri në vitin 2017 që tani. Kjo është edhe një provë e përkushtimit që Myler ka ndaj nesh”.
Futbollisti që ka luajtur 38 ndeshje me fanellën e kombëtares gjermane, iu bashkua Bajernit në moshën 11 vjeçare dhe ka luajtur në çdo skuadër moshe me këtë skuadër derisa debutoi në Bundesligë në gushtin e vitit 2008. Ai u kthye në një titullar të rregullt në sezonin 2009-2010, ndërsa në këtë sezon është në një formë të shkëlqyer, pasi ka shënuar 13 gola në 25 ndeshjet që është aktivizuar me bavarezët në turne të ndryshme. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 19 December 2012 16:04