Roberto Mançini vazhdo të insistojë se Mario Baloteli do të jetë pjesë e Mançester Sitit në të ardhmen dhe se nuk po planifikon largimin e tij gjatë merkatos së janarit. Edhe pse sulmuesi problematik ka krijuar sërish telashe duke hedhur në gjyq klubin për një gjobë prej 340 mijë paund që i është vënë në sezonin e kaluar, ai duket se gëzon besimin e plotë të trajnerit italian.
“Ne duhet të kemi në dispozicion të gjithë lojtarët në këtë muaj pasi kemi shumë ndeshje në dy javë. Mario ka nevojë të stërvitet. Nuk mendoj se ishte i lumtur që nuk e zgjodha për ndeshjen e shtunës por kur ai të fillojë të tregojë edhe një herë cilësitë e tij, do të luajë përsëri”.
Mançester Siti gjobiti Balotelin pasi ai humbi 11 nga 54 ndeshjet e sezonit të kaluar për shkak të dënimeve të vazhdueshme të ardhura nga 3 kartonët e kuq që ka marrë në aktivitete të ndryshme. Protesta e sulmuesit dhe hapja e një çështje gjyqësore ndaj klubit mendohej se do të shtynte për largimin e tij, por Mançini nuk i sheh gjërat në këtë mënyrë.
“Ne fituam titullin në sezonin e kaluar pasi të gjithë sulmuesit shënuan shumë gola. Unë do të dëshiroja që e njëjta gjë të ndodhë edhe këtë vit. Ndaj nëse një lojtar si Mario nuk paraqitet mirë, ai do të qëndrojë në shtëpi”, shpjegoi Mançini, duke bërë të qartë se të njëjtin fat mund ta pësonin edhe sulmuesit e tjerë nëse nuk shfaqeshin në lartësinë e duhur. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 19 December 2012 11:20