Sulmuesi i Fiorentinës, Stevan Jovetiç, ka deklaruar se është i kënaqur që ka dëgjuar për interesimin e vazhdueshëm rreth tij të kampionëve të Anglisë, Mançester Sitit.
Klubi anglez tentoi që në verë të afronte lojtarin malazez, por marrëveshja dështoi sepse italianët vendosën të shtynin të paktën edhe një sezon largimin e tij. Por duket se tani Jovetiç kërkon vetë të largohet që në janar, pasi ka pranuar se mundësia e qëndrimit tashmë ishte vetëm 50%.
“Për momentin, probabiliteti i qëndrimit te Fiorentina është 50 me 50”, shpjegoi ai për mediat italiane. “Por e theksoj se aktualisht ndjehem mirë në Firence dhe dua të vazhdoj të përmirësohem në këtë klub. Interesimi nga Mançester Siti? Nuk di asgjë rreth kësaj teme por është diçka e bukur kur dëgjoj zëra të tillë rreth punës time”, tha ai, duke lënë të kuptohet se e tërheq ideja për t’u transferuar në Angli.
Në këtë sezon, futbollisti malazez ka shënuar 6 gola në 12 ndeshje të luajtura me Fiorentinën në kampionat, pasi ka qenë i dëmtuar në javët e fundit. Mendohet se klubi italian kërkon mbi 25 milion euro për ta lënë të largohet. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 18 December 2012 16:29