Romen Groszhan do të pilotojë një makinë Lotus edhe në sezonin e ardhshëm duke formuar dyshen zyrtare të kësaj skuadre përkrah Kimi Raikonen. Megjithëse piloti ishte në dyshim deri në momentet e fundit për shkak të një sezoni ku hyri në histori më shumë për aksidentet që ka shkaktuar sesa për arritjet në podium, Lotus ka vendosur t’i besojë atij edhe për vitin 2013.
Groszhan e filloi vitin 2012 me paraqitje mbresëlënëse, duke qenë vazhdimisht mes më të shpejtëve, por në gjysmën e dytë të sezonit, ai meritoi nga kolegët e tij nofkën “i çmenduri i kthesës së parë”, pasi shkaktoi vazhdimisht aksidente, duke larguar nga gara edhe pilotë të njohur.
Aksidenti më i famshëm është pikërisht ai që shkaktoi në pistën e Spa në Belgjikë, i cili më shumë mundësi vendosi titullin kampion, pasi nxori jashtë gare që në fillim Fernando Alonson, duke i dhënë mundësinë Sebastian Vetel që të rikuperonte diferencën e pikëve që kishte vendosur spanjolli ndaj tij.
“Romen është një talent i madh dhe jemi të lumtur që po vazhdon me ne një tjetër sezon”, u shpreh shefi i skuadrës, Erik Bulie. “Me vazhdimësinë e dy pilotëve të jashtëzakonshëm si Romen dhe Kimi, ne jemi në një pozicion të favorshëm për të përmirësuar rezultatet e shkëlqyera që kemi marrë në vitin 2012. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 18 December 2012 12:15