Skuadra amerikane e Nju Jork Red Bulls ka zyrtarizuar firmën me ish-yllin e Olimpik Lion, mesfushorin brazilian Zhuninjo Pernambukano, i cili në vitet e fundit ka luajtur me Vasko da Gama në Brazil.
Mesfushori 37 vjeçar njeh mirë drejtorin e përgjithshëm të klubit amerikan, Zherard Hulier, i cili më parë e ka stërvitur atë te Olimpik Lion dhe ka qenë “sponsor” kryesor i transferimit të tij në MLS. Edhe drejtori teknik, Andi Roksburg, është i bindur se braziliani do të jetë i suksesshëm në kampionatin amerikan, pavarësisht moshës së madhe.
“Zhuninjo është një lojtar i klasit botëror të cilin unë dhe Hulier e njohim dhe e admirojmë prej shumë vitesh. Përveç faktit që është një specialist i goditjeve standarde dhe ka një talent të jashtëzakonshëm, Zhuninjo është një profesionist i shkëlqyer brenda dhe jashtë fushës së lojës. Ai është në formë të mirë fizike dhe mendoj se do të ketë një impakt pozitiv për skuadrën tonë në vitin 2013”, u shpreh Roksburg në një deklaratë për mediat pas prezantimit të Zhuninjo. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 18 December 2012 11:02