Joakim Lëv është një emrat më të përfolur për të qenë zëvendësuesi i Zhoze Murinjo në pankinën e Real Madrid. Por vetë trajneri gjerman bën të qartë se nuk ka vendosur të largohet nga kombëtarja e Gjermanisë, të cilën e drejton aktualisht.
Sipas tij, objektivi kryesor është një paraqitje sa më e mirë me kombëtaren në Brazil 2014 dhe më pas do të shohë si do të veprojë, duke lënë hapur hipotezën e rinovimit të kontratës ekzistuese.
“Më e mira që mund të shpresoj është të shpallem Kampion Bote me Gjermaninë para se të largohem. Por nuk kam thënë asnjëherë se është e sigurt se do të largohem pas Botërorit. Nuk e kam menduar dhe nuk kam folur me askënd rreth kësaj teme. Më parë duhet të sigurojmë pjesëmarrjen në këtë aktivitet, më pas do të flas me personat përgjegjës rreth kësaj teme”, u shpreh Lëv.
Trajneri gjerman ka komentuar edhe zërat që e shohin atë te Real Madrid, duke konfirmuar se në një të ardhme do të drejtojë një klub, por pa caktuar se kur është kjo e ardhme.
“Zërat rreth meje nuk më shqetësojnë. Të gjitha janë spekulime, Zhoze Murinjo ka një kontratë deri në vitin 2016. Unë kam kontratë deri në vitin 2014. Në një moment në të ardhmen do të drejtoj edhe unë një klub. Por ky moment nuk është tani. Jam shumë krenar që jam trajner i kombëtares që më ka dhënë kaq shumë kënaqësi gjatë të gjithë këtyre viteve”, deklaroi Lëv duke i mbyllur spekulimet për një transferim të mundshëm në pankinën e Real Madrid. (LajmeShqip.com)
Sunday, 16 December 2012 12:34