Federata Afrikane e Futbollit ka nisur zyrtarisht hetimet ndaj punonjësve të saj pasi një raport i FIFA-s ka zbuluar “prova të pakundërshtueshme” për manipulimin e rezultateve të ndeshjeve të kombëtares së këtij vendi para zhvillimit të Botërorit 2010.
Në këtë raport pretendohet se gjyqtarët e ndeshjeve miqësore që zhvilloi Afrika e Jugut para turneut, ishin korruptuar nga shtetasi i Singaporit, Uilson Perumal, i cili kishte krijuar organizatën e rremë “Football4U” për të fshehur veprimet që bënte me organizatat e basteve ilegale.
“Raporti i FIFA-s bën të lind pyetja nëse ishte vetëm një apo disa ndeshje të kombëtares që u manipuluan dhe provat e pakundërshtueshme e tregojnë një gjë të tillë”, shkruhet në deklaratën për shtyp të shpërndarë nga Federata e Afrikës së Jugut. “Ky raport identifikon zyrtarë të ndryshëm të Federatës të cilët kanë patur kontakte të vazhdueshme me “Football4U”, ndërsa rekomandohet se shqyrtimi më i hollësishëm i këtyre figurave duhet të bëhet sa më parë që të jetë e mundur. Shtrirja e plotë e këtij rrjeti ndërkombëtar tashmë është zbuluar”.
Ndonëse asnjë palë nuk ka bërë publike ndeshjet e dyshuara si të manipuluara, mendohet se fitorja 5-0 ndaj Guatemalës dhe ajo 2-1 ndaj Kolumbisë vetëm 2 javë para fillimit të Botërorit, janë mes atyre ku rezultati është paracaktuar nga kompanitë e basteve.
Në ndeshjen kundër Guatemalës, gjyqtari nga Nigeri, Ibrahim Çaibu, akordoi 3 penallti për prekje topi me dorë, ku dy prej tyre ishin krejtësisht të gabuara. Çaibu po kërkohet nga FIFA e cila do ta marrë në pyetje edhe për gjykimin e ndeshjeve të tjera nga ana e tij në Afrikën e Jugut, Azi dhe Amerikën e Jugut, takime ku ka patur një numër të madh penalltish të dhëna, të cilat mendohet se kanë ndihmuar për trukimin e ndeshjeve në favor të organizatave që merren me manipulimet e rezultateve sportive. (LajmeShqip.com)
Sunday, 16 December 2012 11:04