Trajneri i Mançester Junajtid, Aleks Ferguson, u ka mbyllur derën blerjeve të mundshme të lojtarëve në merkaton e janarit, pas fitores bindëse 3-1 që skuadra e tij arriti ndaj Sandërlend në takimin javës së 17-të të kampionatit anglez.
Fitorja që erdhi falë golave të Van Persi, Kleverli dhe Runi, bëri që Junajtid të ruante distancën prej 6 pikësh me Mançester Sitin, ndërsa arriti fitoren e 5-të radhazi.
“Nuk do të sjell asnjë lojtar të ri në janar, kjo është përfundimtare”, deklaroi trajneri skocez për mediat angleze pas përfundimit të ndeshjes, i kënaqur me formën që ka shfaqur skuadra e tij deri tani.
Ky pohim i Ferguson për merkaton e janarit ka çuditur disi, duke parë se si klubet e tjera elitare në Angli janë vënë të gjitha në lëvizje për të bërë përforcime. Mançester Siti kërkon Fernando Lorente nga Atletik Bilbao, Çelsi është gati të paguajë shuma marramendëse për Radamel Falkao të Atletiko Madrid si dhe të marrë Teo Uollkot nga Arsenali, ndërsa Liverpuli mund të përforcohet me Tom Ins të Bllekpul dhe Daniel Starrixh të Çelsit.
Por besimi i Ferguson duket se vjen nga fakti që ka në dispozicion të gjithë lojtarët e tij më të mirë që kanë lënë pas dëmtimet dhe duken në gjendje të mirë për pjesën e dytë të sezonit, ku “djajtë e kuq” janë të impenjuar në fronte të ndryshme.
“Njerëzit thonë që ne kemi një ekip të dobët në mesfushë, por këto lojtarë që luajnë çdo javë janë shumë të mirë”, ishin fjalët e Ferguson, i cili nga java e ardhshme do të ketë në dispozicione dhe japonezin Shinji Kagaua. (LajmeShqip.com)
Sunday, 16 December 2012 10:04