Presidenti i Real Madrid, Florentino Perez dhe trajneri i kësaj skuadre, Zhoze Murinjo, kanë mbajtur të njëjtin qëndrim për të sqaruar situatën kaotike që është krijuar pas spekulimeve në shtyp se ka një akord mes palëve për largimin portugezit në fund të sezonit.
Kriza e brendshme në klub u thellua pas humbjes në mesjavë në Kupën e Mbretit përballë Selta Vigo, duke vënë në dyshim forcën e Murinjos për të kontrolluar grupin e lojtarëve që duket se nuk e ndjek më ashtu si një vit më parë.
“Ne kemi trajnerin më të mirë në botë me një rekord të jashtëzakonshëm, një person i cili kërkon gjithmonë maksimumin nga skuadra e tij”, ishin fjalët e Perez rreth kësaj çështje.
“Ai ka qenë objekt kritikash të padrejta dhe komentesh dëmtuese, të cilat shpesh kanë ndikuar edhe dinjitetin e tij si person. Murinjo ka mirënjohjen time, besim të plotë mbi punën e tij dhe gjithë dashamirësinë time”, ishin fjalët e presidentit të madrilenëve, duke mbyllur për momentin temën e largimit të trajnerit.
Ky i fundit, ka preferuar të komentojë shkurtimisht fjalët rreth tij, duke falënderuar Perez për besimin publik që i kishte dhënë dhe duke zbuluar se kjo temë ishte biseduar edhe privatisht mes palëve.
“Nuk mendoj se një trajner duhet të komentojë fjalët që thotë presidenti i klubit. Trajneri duhet të nxjerrë konkluzionet e veta por nuk duhet të bëjë komente publike. Kemi folur bashkë gjatë ditës së fundit por mund të them vetëm kaq. E vlerësoj qëndrimin e tij. Nuk është e vërtetë se do të shkoj te PSZH, pasi mund të kem vetëm një kontratë dhe kontrata ime është me Real Madrid”, ishin fjalët e Murinjos. (LajmeShqip.com)
Sunday, 16 December 2012 09:48