Botërori 2018 është ende larg, por FIFA ka filluar që tani programimin e këtij aktiviteti që zhvillohet në Rusi. Komiteti Ekzekutiv ka miratuar dje edhe emrin e stadiumit që do të presë finalen e madhe të aktivitetit. Ai do të jetë “Luzhniki” i Moskës, që përveç kësaj ndeshje, është përzgjedhur edhe për takimin e hapjes si dhe për një nga gjysmëfinalet e aktivitetit.
I inauguruar me 31 korrik 1956, stadiumi ka një kapacitet prej 78360 vendesh, të gjitha të mbuluara. “Luzhniki” është stadiumi ku luan Spartak Moska dhe pret gjithashtu të gjitha ndeshjet e kombëtares që drejtohet nga Fabio Kapelo. Evenimenti më i madh që është zhvilluar ndonjëherë në këtë stadium deri tani, është finalja e Ligës së Kampioneve të vitit 2008, ku u vunë përballë Mançester Junajtid dhe Çelsi, me “djajtë e kuq” që fituan falë penalltive.
Stadiumi tjetër i përzgjedhur për gjysmëfinalen e aktivitetit është “Petrovskij” i Shën Petersburgut, ku luan ndeshjet e saj skuadra e Zenit. Ndërkohë, për Kupën e Konfederatave që do të zhvillohet në vitin 2017, ndeshjet do të zhvillohen edhe në stadiumet “Centralni Stadion” të Kazan dhe “Fisht Olimpik Stadium” të Soçi. (LajmeShqip.com)
Saturday, 15 December 2012 11:01