Futbolli kosovar më në fund do të arrijë të kapërcejë kufijtë dhe mund të shijojë lirinë e zhvillimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare. Vendimi i marrë nga FIFA që në maj është implementuar nga Komiteti Ekzekutiv i këtij institucioni, por jo pa një përjashtim mjaft të rëndësishëm: Kosova nuk mund të luajë me kombëtaren e madhe të saj.
“Pasi është vendosur me 21 maj 2012 që të lejohen anëtarët e FIFA-s që të luajnë ndeshje miqësore ndërkombëtare me skuadrat e Federatës së Futbollit të Kosovës, e cila nuk është anëtare e FIFA-s, Komiteti Ekzekutiv ra dakord sot që të implementojë menjëherë vendimin për të rinjtë, futbollin amator, futbollin femrave dhe klubet”, shkruhet në vendimin e bërë publik nga institucioni që drejton futbollin botëror.
Ky është një hap shumë i rëndësishëm për futbollin kosovar, i pari drejt një rruge të gjatë drejt njohjes globale me të drejta të plota si çdo shtet tjetër.
Por gjithsesi mbetet shija e hidhur e mosimplementimit të zhvillimit të miqësoreve edhe me kombëtaren e madhe, që mbetet ende “në ajër” pas vendimit të FIFA-s. Kuptohet që shkak për mospranimin e zhvillimit të miqësoreve të kombëtares së madhe janë refuzimet e UEFA-s dhe Federatës Serbe, të cilat vazhdimisht janë munduar që të ndalin qoftë edhe implementimin e “lirisë” së futbollit të moshave.
Si rrjedhojë, që nga janari klubet kosovare mund të mendojnë seriozisht që të marrin pjesë në aktivitete miqësore jashtë kufijve të tyre, pa frikën se skuadrat kundërshtare mund të përballen me sanksione nga FIFA. Njëkohësisht, edhe kombëtaret e moshave do të kenë mundësi që të luajnë zyrtarisht me bashkëmoshatarët e tyre në të gjithë botën, në pritje që një ditë, FIFA të zyrtarizojë edhe pjesëmarrjen në aktivitete zyrtare, që do të ishte hapi i dytë i rëndësishëm i njohjes së Kosovës si anëtar me të drejta të plota. (LajmeShqip.com)
Saturday, 15 December 2012 09:16