Merkatoja e sezonit të ardhshëm nuk do të jetë e përqendruar te lojtarët, por vetëm te trajnerët dhe sot është shfaqur në skenë një tjetër hipotezë e bujshme. Sipas mediave franceze dhe atyre spanjollë, po bëhet gati një lëvizje e madhe që fillon me kalimin e Zhoze Murinjo nga Real Madrid te PSZH, ndërsa në vendin e tij te madrilenët do të shkojë Arsen Venger.
Ndërsa mediat spanjolle deklarojnë se Florentino Perez do të mbajë nesër një fjalim për të shpallur se Murinjo nuk lëvizën nga Real Madrid deri në vitin 2016, në Francë janë të sigurt se bisedimet mes portugezit dhe PSZH janë në një stad të avancuar.
Sipas “Le 10 Sport”, menaxheri i portugezit, Horge Mendes, është në kontakt të vazhdueshëm me sheikun Al Thani, pasi po shqyrton jo vetëm mundësinë e transferimit të Murinjos në Francë në fund të sezonit, por edhe po bën gati edhe fushatën e blerjeve për vitin pasardhës. Po sipas të njëjtit burim, Murinjo ka kaluar në renditjen e preferencave të sheikut dy trajnerët Arsen Venger dhe Pep Guardiola.
Pikërisht i pari është kandidati më i mundshëm për ta zëvendësuar atë në stolin e madrilenëve, pasi tashmë është mërzitur në drejtimin e Arsenalit ku ka mbetur prej shumë vitesh pa fituar asnjë trofe dhe pa mbështetjen e duhur ekonomike nga klubi që lejon çdo vit të largohen futbollistët më cilësorë. Venger vlerësohet nga Perez i cili kërkon një emër shumë të njohur për skuadrën e tij, një trajner që garanton futboll spektakolar.
Po Guardiola? Hipoteza e bujshme është që ai të marrë pikërisht pankinën e Arsenalit, siç ka zbuluar një person i afërt me të në mediat angleze gjatë kësaj jave, duke pretenduar se trajneri spanjoll është gati të kthejë lavdinë në radhët e klubit londinez. (LajmeShqip.com)
Friday, 14 December 2012 14:59