Fernando Alonso është shpallur piloti më i mirë i vitit 2012 nga vetë drejtuesit e skuadrave që morën pjesë në Kampionatin Botëror të Formula 1 në këtë sezon, duke lënë në vendin e dytë kampionin Sebastian Vetel.
Në anketën e zhvilluar nga revista “Autosport”, të gjithë drejtuesve të 11 skuadrave pjesëmarrëse iu kërkua të votonin për 10 pilotët e vitit duke përdorur sistemin e pikëzimit të garave (25-18-15-12-10-8-6-4-2-1).
At që votuan në këtë anketë, në edicionin e pestë të saj, janë Kristian Horner (Red Bull), Stefano Domenikali (Ferrari), Martin Uitmarsh (MekLaren), Ros Braun (Mercedes), Erik Bulier (Lotus), Frenk Uilliams (Uilliams), Bob Fernli ( Force India), Monisha Kaltenborn (Sauber), Siril Abitebul (Katerham), Xhon Buth (Marusia) dhe Luis Perez-Sala (HRT), ndonëse nuk u publikuan votat e tyre në mënyrë që të mos krijoheshin polemika.
Alonso u shpall fitues me një diferencë shumë të madhe prej 71 pikësh, më e madhja në historinë e kësaj ankete, duke treguar se realisht, bota e Formula 1 mendon se ai meritonte të shpallej kampion më shumë se Vetel, që kishte makinën më të mirë. Këtë e provon fakti se 8 nga 12 shefat e skuadrave i kanë dhënë atij vendin e parë. Kjo është hera e dytë kur ai shpallet piloti më i mirë edhe pse nuk fitoi titullin, ashtu si në vitin 2010. (LajmeShqip.com)
Renditja e pilotëve sipas votave të shefave të skuadrave të Formula 1
269 Fernando Alonso
198 Sebastian Vetel
177 Luis Hamilton
176 Kimi Raikonen
104 Xhenson Baton
66 Mark Ueber
50 Niko Hulkenberg
30 Niko Rosberg
30 Serxho Perez
27 Felipe Masa
Friday, 14 December 2012 10:23