Policia bullgare ka bërë të ditur se ka arrestuar 6 lojtarë të klubit bullgar Çernomorets Burgas, ashtu si edhe 5 të tjerë nga rivalët e të njëjtit qytet, Neftoçmik, pasi të gjithë dyshohen për përfshirje në manipulimin e ndeshjeve.
“Unë mund të konfirmoj se 11 lojtarë janë arrestuar për manipulim ndeshjesh. Të gjithë janë shtetas bullgarë”, deklaroi zëdhënësja për shtyp e Ministrisë Brendshme të Bullgarisë. Ajo bëri të ditur se hetimi kishte filluar që 3 muaj më parë nga sinjalizimet për baste të paligjshme, por nuk dha detaje të tjera.
Mediat vendase raportuan se lojtarët e Çernomorets, Rumen Trifonov dhe Preslav Jordanov, ui morën në pranga nga rajoni i policisë ku gjendeshin dhe u dërguan në një destinacion të paspecifikuar. Ministri i Brendshëm bullgar, Tsvetan Tsvetanov, deklaroi se të paktën 4 prej këtyre futbollistëve do të përballeshin me akuza të rënda.
Ndërkohë, presidenti i Çernomorets, Mitko Sabev, deklaroi se nuk bëhej fjalë për manipulimin e ndeshjeve të kësaj skuadre.
“Trajneri më lajmëroi se janë arrestuar disa prej lojtarëve tanë. Ne jemi të sigurt se ata nuk kanë manipuluar ndeshje të Çernomorets”, tha ai. Kjo skuadër aktualisht gjendet në vendin e gjashtë në kampionatin bullgar me 27 pikë nga 15 ndeshje, ndërsa Neftoçimik janë në vendin e parë të kategorisë së dytë, me 28 pikë pas 13 ndeshjesh të luajtura.
Mediat bullgare kanë akuzuar shpesh për manipulim ndeshjesh dhe korrupsion, por deri më sot, askush në Bulgari nuk ka dalë para gjyqit për çështje të tilla, edhe pse Komisioni Evropian ka kërkuar vazhdimisht që t’i jepet zgjidhje këtij problemi. Në shtator, prokuroria hapi zyrtarisht hetimet për katër ndeshje të cilat mendohet se janë të manipuluara në favor të basteve sportive.
Ndeshja e parë e dokumentuar si e manipuluar në historinë e futbollit bullgar është ajo e vitit 1949, kur Levski Sofia dhe Akademik mbyllën në barazim 1-1 ndeshjen e tyre, në mënyrë që CSKA Sofja të binte nga kategoria. (LajmeShqip.com)
Thursday, 13 December 2012 19:23