Karlos Dunga është emëruar trajneri i Internacional të Porto Alegre, duke marrë detyrën e tij të parë që pas eksperiencës me Brazilin që e udhëhoqi në Botërorin 2010.
“Për të punuar me mua duhet të jesh i përkushtuar, duhet të kesh dëshirën të fitosh”, ishin fjalët e tij të para si trajner i kësaj skuadre në konferencën e prezantimit përballë gazetarëve, në klubin ku ai filloi dhe mbylli karrierën si lojtar.
“Unë nuk jam larguar kurrë nga Internacional, kam qenë gjithnjë këtu si një tifoz. Inter më hapi dyert kur isha një fëmijë 14 vjeçar dhe tani ka ardhur koha t’ia shpërblej”.
Katër vitet e Dungës si trajner i Brazilit nga viti 2006 deri në vitin 2010 janë e vetmja eksperiencë e tij si trajner. Ai ishte pasuesi i Karlos Alberto Parreira në vitin 2006, menjëherë pas Botërorit, duke fituar në vitin pasardhës Kupën e Amerikës dhe në vitin 2009 Kupën e Konfederatave.
Nën drejtimin e tij, Brazili zhvilloi një model të ri loje, të bazuar në kundërsulm dhe përgatitje të lartë fizike, model që nuk u pëlqente aspak tifozëve dhe që dështoi në Botërorin 2010, pas eliminimit në çerekfinale nga Holanda. (LajmeShqip.com)
Thursday, 13 December 2012 11:18