Bordi i Arsenalit duket se ka filluar të vihet në lëvizje, pasi shefi i klubit, Ivan Gazidis, ka premtuar të vërë në dispozicion të Arsen Venger një shumë të konsiderueshme për t’u shpenzuar në merkaton e janarit. Konfirmimi ka ardhur pas eliminimit të bujshëm të “topçinjve” nga Kupa e Ligës, aktivitet nga i cili dolën pasi u eliminuan nga Bredford, skuadër e kategorisë së katërt.
“Jam mërzitur duke dhënë gjithmonë të njëjtin mesazh, por natën e kaluar jemi inatosur pasi paraqitja e skuadrës nuk ishte e mirë aq sa duhej. Tifozët ishin të shkëlqyer dhe meritonin më shumë, ndaj ka gjëra që duhen rregulluar. Jemi të dëshpëruar pasi kërkojmë suksese dhe këtë mund ta kuptoni vetëm po të bashkëbisedoni me të gjithë ata që drejtojnë klubin. E kuptoj që jo gjithmonë veprojmë drejt, por të paktën mundohemi”.
“Ne arritëm të përmirësonim të ardhurat dhe rezervat financiare të klubit, tani duhet të përmirësojmë mënyrën se si t’i shpenzojmë këto të ardhura. Ne jemi një klub që për momentin jemi nën presion dhe kjo skuadër ka nevojë për diçka. Kemi para për të shpenzuar, por kjo gjithsesi nuk do të thotë se ka objektiva merkatoje të vlefshëm”, tha Gazidis.
Mediat angleze raportojnë se bordi i Arsenalit pritet të vërë në dispozicion të Arsen Venger një shumë prej 25-30 milion paund, që duhet të jetë e mjaftueshme për të bërë një blerje të madhe apo për të marrë dy futbollistë cilësorë që të përmirësojë kontingjentin aktual. (LajmeShqip.com)
Thursday, 13 December 2012 11:16