Mançester Junajtid i është bashkuar garës për të marrë Teo Uollkot nga Arsenali, në një lëvizje merkatoje që i ngjan shumë asaj të realizuar me sukses në verë duke blerë Robin Van Persi nga “topçinjtë”. Sër Aleks Ferguson është një admirues i mesfushorit, kontrata e të cilit me klubin londinez përfundon në verë.
Sipas “Daily Mail”, vetë lojtari ka bërë të qartë se nëse do të vendosë përfundimisht të largohet nga Arsenali, ai do të zgjidhte Junajtid. Uollkot për momentin ka refuzuar rinovimin e kontratës me ofertën që i ka bërë klubi, 75 mijë paund në javë për 5 vitet e ardhshme. Ai është gati të qëndrojë, vetëm nëse Venger i ofron më shumë se 100 mijë paund në javë dhe një vend titullari, të cilin ai aktualisht nuk e ka të garantuar.
Liverpuli, Mançester Siti dhe Çelsi janë të gjithë të interesuar për të, por ngulmimi i Mançester Junajtid, përkrah dëshirës së vetë lojtarit për t’u transferuar te “djajtë e kuq”, mund të bëjnë që kryesuesit e kampionatit anglez të përforcohen me një tjetër element shumë cilësor në pjesën e dytë të sezonit.
Jo rastësisht, Arsen Venger po mendon që të marrë nga Mançester Junajtid portugezin Nani, duke shpresuar që të paktën të sigurojë një shkëmbim për lojtarin, të cilin mund ta humbë me parametër zero në fund të këtij sezoni. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 12 December 2012 14:59