Antonio Konte këtë radhë nuk fshihet në pretendimet e skuadrës që drejton dhe ka deklaruar se Juventusi synon të shpallet përsëri kampion në Itali. Sipas tij, vetëm nëse vazhdohet në rrugën e sukseseve të tilla, me projekte afatgjatë, mund të arrihet në nivelin e klubeve të mëdha për të bërë blerje me lojtarë që kushtojnë 35-40 milion euro.
“Juventusi është kthyer protagoniste, vitin e kaluar bëri një kampionat të jashtëzakonshëm, larg çdo parashikimi. Mendoj se kjo ka bërë që të ndizen projektorët mbi lojtarët, që janë ata që sollën këtë mrekulli të vogël, si dhe klubin që njihet në mbarë botën”.
“Të rifitojmë do të ishte maksimumi, por kjo do të thotë që të jesh me një rendiment të mirë edhe në Ligën e Kampioneve, në mënyrë që përveç themeleve të shëndosha, të arrijmë të ndërtojmë pak nga pak diçka më shumë. Ne duam të projektojmë në mënyrë që një ditë të arrijmë të marrim edhe ata lojtarë të nivelit shumë të lartë që kushtojnë 35-40 milionë euro. Atëherë do të kemi mundësinë të shohim si të barabartë PSZH, Real Madrid, dy ekipet e Mançester dhe Bajern Mynih. Por për momentin duhet të vazhdojmë të qëndrojmë të përqendruar dhe të shohim vetëm rrugën tonë”, tregoi trajneri i bardhezinjve, i cili i ka dhënë fund edhe dënimit për përfshirjen në skandalin e manipulimit të ndeshjeve për periudhën kur drejtonte skuadrën e Sienës. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 11 December 2012 14:40